Një rrëfenjë që bën vaki dhe është e vërtetë

Posted: December 15, 2015 in AKTUALITET, EVERYTHING ABOUT WORLD

Mund ta mbyllja edhe këtë ditë pa ia nxirë faqen vetes në të tillë formë që po më teket ta bëj, po muzat e mia s’po i zeka gjumi pa qenë të sigurta se do ta kryejnë funksionin dhe do m’i vënë gishtat në tastierë për njëfarë sebepi. Për këtë shkak..(me shumë finesë u përpoqa të shmangia fjalën ‘atëherë’ siç m’u bë zakon në fakultet se profesori do më vriste duke më thënë ‘po na thuaj moj vajzë,pse atëherë dhe jo tani?’Dhe unë s’pata kurrë guxim t’i them se në ditët tona po thuhen dhe bëhen vepra të rënda ama në një nivel linguistik tepër të lartë me demek dhe të vërtetat po thuhen qorrazi, sëmurshëm, thatë ,shëmtuar dhe pa ‘ë’ në fund të fjalës.) Ndaj po i bëj bisht sot asaj që unë quaj moton më aktuale të shqiptarëve në këto ditë që po mbijetojmë ‘t’ia hedhim edhe sot’! Dhe po më vika një dëshirë e madhe të bëj një hyrje të gjatë për këtë tekst në nderim të gjithë atyre herëve që s’dija t’i nisja esetë e gjimnazit se më dukeshin më utopiket e më fallcot që mund të sugjeroheshin në orët tona mësimore, po meqë unë po shkruaj sot për tu lexuar dhe jo për ta ruajtur këtë faqe word-i vetëm në kompjuterin tim siç bëj shpesh, e di që s’keni kohë dhe po ua kursej sikletin që të ikni nga faqja pa më lexuar der në fund.

Muzat, të nderuar, më kanë dhënë siklet të madh së fundmi e më kanë munduar si rrallëherë, qofshin vajza, gra, djem a burra. Unë e kam këtë dobësi që nuk i harroj dot lehtë ato që më thuhen dhe ato që shoh, e ndaj, duke përftuar nga kjo,lëmshi mu bë në grykë pa e zgjidhur qesen. E për të shpëtuar fytin tim, ja ku po ju them se përditë shoh e dëgjoj me keqardhje gjëra që më duken të shëmtuara , të pa drejta,por që mund të bëjë vaki që unë e kam gabim dhe ashtu qoftë ishalla. Në këtë vendin tonë që po ia bëjmë gropën dhe po na bën gropën thellë e më thellë, njerëzit vetëm qahen dhe ankohen. Mu mërzitën! Ja ku po ankohem dhe unë! Se dhe unë, ‘ne’ jam, sikurse dhe ‘ata’ jam. Nga mëngjesi në darkë. Nga kafja në kafe e nga vakti në vakt. Në këtë vendin tonë çdo gjë po shkon ters përveç karrierës së Bleonës dhe aristokracisë së Riseldës që ai lart e ka parë të arsyeshme t’i ndajë nga tufa se nuk thithin më këtë ajër që gëlltisim ne. Po shoqet e mia nuk thonë kot, ja fatin e këtyre të dyjave të kesh. Po ndaj dhe shoqet e mia ç’nuk bëjnë për tu ngjarë këtyre. Na u nxi jeta që s’bëhemi dot si ato. Unë kisha një shoqe që nuk la kompeticion pa marrë pjesë për tu bërë njëçikë këngëtare. Ja, për faj të Bleonës, të kishte edhe ajo një jetë ëndrrash. Po ne që s’patëm zë, e kërkuam jetën e ëndrrave te llotaria amerikane, që na i mbushi mendjen se mund të jemi Hirushja e rradhës. Pastaj ato që s’patën besim në punët e fatit, u munduan t’i rregullojnë çështjet e ëndrrave brenda përbrenda shtetit. Po po, ja, ju them unë. Kam një shoqe që s’la ekran televizioni pa provuar dhe regjisor pa drekuar për të pasur një qoshe në ndonjë program. I është mbushur mendja që sot ecet vetëm me televizion në këtë vend dhe nuk i ndahet. Showgirl do bëhem, thotë. Të më shohë dynjaja tek ngjit shkallët e suksesit. Të më mbajnë poster nëpër rrugë e nëpër dhoma,të më citojnë nëpër reklama.. Po që s’i ka ecur keq.. Le të them unë sa të dua që sot televizionet janë mbushur me çakej dhe ndrikulla që përbuzin ata që s’janë pjesë e kësaj industrie e që delirojnë në botën e tyre mrekulli që nuk i sheh njeri e s’ka oreks t’i shohë. E këto grimcat e vogla e të parëndësishme të gazetave dhe radiove u bëjnë sehir vetëm atyre. Le të them unë që janë të pahonepsshëm të shtirurit që na mbushën barkun me pallavra, këshilla, teori dhe norma kulturore që i shpikën vetë. Le të them unë që për shkak të këtij modeli televiziv e gjithë shoqëria jonë është shndërruar në një ekran të vogël ku njerzit vetëm shtiren, gënjejnë njëri-tjetrin, mbahen për ata që s’janë, kopjojnë sa mundin dhe quajnë art degjenerimin, quajnë kulturë babëzinë e quajnë perëndim mediokritetin. Le t’i them unë këto, s’ka gjë, se unë aq di, aq them. Kështu më thotë një shoqe. Po kjo shoqja ime, e cila e ka kuptuar më së miri sesi funksionon një vend në krizë të përjetshme, nuk rri të shkruajë kështu si unë e të qajë hallet e botës. Motra, llafet fukarallëk janë! Mirë më thotë, se asaj nuk i duhen fjalët dhe aq shumë. Ajo drekon e darkon me një gjykatës të martuar, dhe mesa kam vënë re, ngaqë shoqërohet me këtë njeri me shkollë, dita-ditës po mençurohet edhe vetë. Po i mençurohen rrobat, këpucët, shtëpia, silikoni. Lum lum, ka të bëjë shkolla sot. Më thuaj kë shok ke, të të them a e nxjerr muajin. Njeri me fat ajo, po mua më vjen keq për ato që nuk e kanë këtë fat të tregohen të mençura.

Leku të prish, më thotë një shoqe tjetër. Aspak! E ngre zërin unë. Leku të bën njeri. Në këtë vendin tonë mikroskopik , që ca të huaj më thanë që e paskërkësha shpikur vet se nuk ekziston në hartë, na ka hyrë në palcë një i ftohtë dimri reformash që s’dihet sa do zgjasë. Parashikimet thonë që do ketë efektin e malarjes, ata që nuk ia mbathin sa më parë dhe ata që nuk do gjejnë kurën e duhur t’ia hedhin me mashtrime kësaj sëmundje, nuk do ia dalin. Paska qenë një dimër kadarean, nga ata që të vënë në krizë identiteti të thellë, se ky shtet krizë identiteti ka pasur një jetë të tërë. Po kjo krizë të deformoka e të shëmtoka aq shumë sa njeriu nuk e ndan më të mirën nga e keqja. Shoqja ime nuk ka të drejtë kur thotë leku të prish. Ajo lexon vetëm fundin e faqes. Skamja të prish e të shkatërron. Skamja stë mbush barkun po të fut demonët në kokë. Skamja të fut frikën e frika të fut tmerrin. Të bën shpirtvogël. Skamja e bën shoqërinë të shohë botën nëpërmjet televizionit, një gënjeshtre kaq të pështirë ndonjëherë, sepse televizioni është e vetmja botë që skamja të lë të shohësh. Skamja i transformon normat e kulturës që të ngjajnë me ato të rrugës. Skamja thërret që as shkolla e as puna nuk e nxjerrin njeriun në dritë, po dinakëria e kurvëria ta zbardhin faqen. Sot të gjithë i përulen me shumë të drejtë këtyre dy cilësive, dhe ai që nuk bindet është Idiot.

Në këtë vendin tonë ku tashmë fjalët janë vërtet fukarallëk dhe mua çdo shpresë më duket e humbur, unë shoh sesi shtohen dita ditës kafshët dhe vdesin njerzit, ku kaosi ka lidhur zinxhirë të hekurt ngado dhe mbijetojnë  vetëm ata që kanë çelës për tu zgjidhur. Ca e blejnë çelësin me para e ca e shkrijnë zinxhirin me zemër. Ata që nuk kanë një zgjidhje, janë të destinuar të shesin shpirtin.

Unë mund të flija edhe sot pa jua prishur gjumin juve e pa e munduar veten për të thënë gjëra që dihen, po mu duk e hajrit tua rrëfeja ato që akumuloj në mungesën e çdo statusi të shkurtër që nuk shkruaj. Gjithsesi, bën vaki që unë ta kem gabim, dhe ashtu qoftë ishalla!

D.M.

2015

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s