Çorba jonë allafrënga

Posted: January 19, 2015 in AKTUALITET
Tags:

Nga Delinda Muçollari

03fe67f8a9b6a3d957cf1461471475dd

7janar 2015. Mund të ishte çdo ditë tjetër.

Paris. Vështirë të mendosh se mund të jetë e rastësishme diçka që ndodh në një nga nyjet e Europës.

Media. Të nxit menjëherë një reaksion arsyetimesh lidhur me pushtetin që zotëron duke u shndërruar në shkrepësen që u vë flakën dhjetëra konflikteve që ziejnë anë e kënd.

Islam. Një nga dimensionet e botës ku jetojmë që gëzon statusin si një nga shtyllat e njerëzimit, ashtu sikurse dhe evokon një mllef të pazgjidhshëm në memorien e shumë njerëzve, të imponuar apo edhe të qëllimtë.

ISIS. Sinonim i një epidemie që po asimilon territor çdo ditë e më shumë në veshët e botës dhe po rekruton në rradhët e veta ushtarët e terrorit gjithnjë e më të shumtë në numër.

Charlie Hebdo. Emër i një mediumi gati të panjohur më parë , i cili bëri xhiron e botës brenda 24 orësh duke e paguar çmimin me 12 jetë njerëzore.

E mbi gjithë këto, qëndron kryefjala e konfliktit dhe antipodi i paqes: TERRORIZËM.

Këta janë ingredientët e çorbës që na është servirur gjatë ditëve të fundit në diskutimet, panelet, intervistat, rreshtat e gazetave, e madje është servirur edhe tryezave të kafeneve, ku vlojnë zëshëm hallet e kombit. E secili prej nesh, me apo pa dashje ka zgjedhur të zgjatë dorën për një lugë çorbë ose t’i shmanget natyrshëm çdo tentative për tu përfshirë. Për ata që kanë zgjedhur të bëhen pjesë e tryezës, nuk janë të pakta shqetësimet. Të besosh hipotezat mbi ngjarjen e të kapërdish teoritë konspirative që janë ngritur nga aktorë të ndryshëm politikë apo mediatikë menjëherë pas sulmit të Parisit nuk është aq e lehtë. Po njerëzit vazhdojnë t’i përvishen vënçe çorbës dhe të sillen si ekspertë gastronomie duke shkoqitur secilin nga përbërësit e mësipërm.

E nisin diskutimin që në takimin e mëngjesit për të sheqerosur kafen e hidhur nga plogështia e dembelizmi: “Kanë vrarë gazetarë? Ua, po kjo është çnjerëzore! Të cenosh fjalën e lirë, lirinë e medias, hapësirën e saj për të informuar njerëzit duke ua lehtësuar e përmirësuar jetën është totalisht e dënueshme! Bota do tronditet nga kjo ngjarje..gazetarët të protestojnë! Ç’ishte kjo hata!”

Ka të tjerë nga ana tjetër e tryezës që thonë: “ Po ç’qenka ky Charlie që guxon të tallet me profetin? Epo mirë t’i bëhet se e ka hak! Mos ma prek profetin se ta fik derën! Mos guxo as t’i përmendësh emrin ti njeri i pamoralshëm e i pafe..se plumba qorrë ka plot..do ketë edhe për ty ndonjë!!”

Shoku i vet e ndërpret: “Ngadalë.. profeti yt nuk ta lejon vrasjen në asnjë lloj rrethane.Justifikon vrasësin? Me ç’mjet? Fenë tënde? Mirë tu bëhet thua ti, epo ti qenke i pafe këtu, ta dish!”

“Ja pra, -hidhet tjetri, -ja ç’dëme i sjell shoqërisë kjo fe e prapambetur, kjo fe e vrasjes dhe terrorit. Sikur ti zbonim fare nga Europa,mos t’i shihnim fare rrotull, të rrinë aty ku e kanë vendin! Ja ç’sjellin ata! Na vikan nga fundi i Azisë dhe i vënë zjarrin perëndimit! Bah ç’racë!”

Pastaj dëgjohet një tjetër zë jo fort i panjohur nga tryeza përbri, që duke folur me kompetenca të larta pretendon që panelistët e kafesë së hidhur e kanë që të gjithë gabim dhe se e vërteta nuk qëndron fare ashtu. “ Në fakt ata vrasës s’kanë të bëjnë fare as me profetin as me fenë dhe ka aktorë të tjerë në këtë mes që i luajnë gurët e shahut, por ju jeni shumë të vegjël për t’i ndjerë këto lëvizje. Mos mendoni se ajo revistë me atë emër të bukur alla frënga është kaq e pafajshme sa thoni. Tani unë e di ç’u them, dhe ju them se ishin vetë ata, këta të perëndimet me një fjalë që e bënë zhurmën për qëllime të zeza, po ju prapë jeni të vegjël që t’i kuptoni shpjegimet e mia..”

Kafeja e mëngjesit, vakti i drekës, orari i mezishtyrë i punës ikin. Ç’do hamë për darkë? Pak Charlie Hebdo.. dhe ca terrorr islamik. O sa bukur! Ia hodhëm dhe kësaj dite! Na bëftë mirë!

Po ti ç’mendim ke? Më pyesin mëngjesin tjetër. Sepse duhet ta kesh patjetër një mendim për këtë ngjarje historike. Duhet të ndihesh e indinjuar! E prekur! Kolegët e tu vdiqën që ti të shkruash sot ç’të duash. Sa kauzë e madhe! Lum si heronjtë! Hajde me ne në protestë tu ndezim nga një qiri. Hajde t’i qajmë, tu ngremë elegji. Hajde tua bëjmë nderin si shqiptarë që jemi dhe e kemi me merak atë nder të uruar. Nuk po vjen? Po ti qenke e paditur fare! Po ç’gazetare ma di veten? Do të të vrasin ty nesër!

Ç’marrëzi! – them. Kujt po i bën mirë kjo çorbë që po shijoka kaq shumë? Apo të vjellat vijnë më vonë? Mos të ha asnjë lugë, do dukem si menefregiste, të tentoj të ha, kam frikë se më bën dëm..epo të dalë ku të dalë se na hëngrët shpirtin! Si nuk e paskan njohur njerëzit kufirin njëherë!

Ti që ke pushtetin dhe zërin për të thënë të vërtetat e tua, bëj kujdes dhe mendohu një çast për të mos vrarë më shumë se sa mund të shpëtosh! Të është dhënë një fuqi aq e madhe në dorë,çfarëdolloj mediumi qofsh por ta dish që ke më tepër detyra sesa të drejta! Në s’ka zot që ta mban dorën e ligj që të ndalon, ka humanizëm që do të t’i mësonte gjithë rregullat e mundshme,se nuk mundesh as ti, askush të përbuzësh e denigrosh kënd.

Ti që në emër të profetit bën atë që profeti yt nuk do ta bënte dhe lejonte kurrë, mos e justifiko luftën tënde me ligjet e tua vetjake. Paqja që të ka mësuar ai profet që ti i falesh nuk flet në këtë gjuhë, ndaj je ti i pari i pafe, sepse një besimtar i vërtetë nuk mund të jetë vrasës dhe një vrasës nuk mund të jetë besimtar!

Këtë e kam thënë dje dhe do vazhdoj ta them. Ta dëgjojnë veç ata që sheqerosin me mua kafet e hidhura të këtij vendi. Të tjerë sot për sot, s’kanë për të ma vënë veshin. Dhe unë as kam për të denjuar tu dëgjoj a diskutoj zëshëm teoritë e mëdha konspirative që përsiaten të përtypin. E në fund të së gjithës, pas dialogut me veten, vendos mos t’i zemërohem kujt, as abuzuesve , as të abuzuarve. Ua lë fajin të dyve në dorë, fare qetë. Të tjerëve që u bëjnë moral në mëngjes dhe darkave pështyjnë aty ku hanë, u lë çorbën. Dhe urdhëroj veten të mos bëhem kurrë, si këta që kam treguar me gisht. Në mos, më bëftë mirë çorba edhe mua!!

Tiranë, 19 janar 2015

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s