Zbardhet biseda e erotizuar mes Sokratit e Platonit që tronditi filozofinë

Posted: December 18, 2014 in EVERYTHING ABOUT WORLD

sokrati-6

Në prag të mesnatës, pija i kish rënduar mendjet e trazuara të të ftuarve. Fjalët e tyre, në përpjekje për të qenë sadopak të kuptueshme, përfundonin duke u tallavitur si anije të lodhura në të kuqtë e verës. Vetëm ata të dy, të zotët e shtëpisë, duke i mburrur veten vetes që nuk u mposhtën aq kollaj nga pija, e ftuan njëri –tjetrin pranë oxhakut për bisedën e rradhës. Si për të krijuar një intimitet ndjellës, posaçërisht të denjë për diskutimin e tyre, drutë që digjeshin mbi vatër e ndalën për pak kërcitjen dhe nisën të digjeshin urtë pa i shqetësuar me shkëndija të befasishme. I pari ishte Platoni që e lejoi mësuesin të zgjidhte vendin më komod për tu ulur. Aty për aty, u rehatua edhe vet, deri në atë pikë sa mund të ndihet rehat një ushtar që e çon shpesh nëpër mend humbjen e betejës  që prej fillimit, ngaqë i ka mësuar mirë disa nga armët më të forta të  kundërshtarit, apo edhe më keq, ngaqë ka frikë se ende nuk ka mësuar asnjë gjë.

“Ishte kaq e lehtë për pijen t`i nënshtronte ushtarët e vet, mjeshtër. Sa mirë do të ishte që dikush ta kish fuqinë e fjalës të tillë, si pushteti i verës, sundues, pa pasur nevojën për të qenë bindës apo urdhërues. Madje madje, dikush të kishte privilegjin që të tjerët tja kërkonin medoemos sundimin e fjalës së tij, si çelësi i çastit të lumtur. A thua se ndodh, mësues?”

“Po më pyet Platon? … A nuk e more përgjigjen tënde ende pa folur unë?

Platoni, mbetur ngushtë, iu frik mendimit se s`do të ishte në gjendje të ndërtonte një dialog të denjë, nëse Sokrati do i priste në të tillë formë pyetjet e tij, e sidomos këtë pyetje të parë që vetëm synonte të nxiste dialog. Pa qenë tërësisht brenda kontekstit, guxoi të pyeste:

“A do mundeshim të mësonim diçka pa pyetur mësues? Qoftë edhe veten? Kujt do i përgjigjeshim në atë rast?”

“Natyrisht që çdo pyetje që na lind, dëfton se kemi mësuar diçka të re, por mos mu largo prej asaj që kërkove Platon. Ti pyete nëse është e mundur që dikush ta ketë të tillë pushtetin e fjalës, sa tja kërkojnë të tjerët si çelësin e një çasti lumturie. Më pyete mua, sepse kërkon të dish diçka dhe kërkon ta dish nga unë. Më pyete se beson tek ajo që them dhe përgjigjet e mia të duken zgjidhjet e duhura. Kur marrim një përgjigje, heqim një barrë, barrën e asaj pyetjeje që na ka munduar. Heqim një barrë dhe në vend të saj përjetojmë një moment çlirimi, gati-gati një çast lumturie. Më kupton tani Platon?”

Me një gjysmë buzëqeshje e një psherëtimë që kërkoi ta fshihte, Platoni mendoi se po të vazhdonte t`i merrte aq lehtë fjalët që nxirrte nga goja, shanset për të humbur në mënyrë të denjë do të ishin të pakëta. Ndërsa shanset për të fituar, ishin gati të pamundshme në atë moment.

Platoni

Platoni

“Këtë e pranoj, por do të vijë një ditë, afër ose larg, sa edhe dijet e tua do të bëhen tonat, dhe s`do ta kemi më nevojën për t`ju pyetur. Ndërsa pija mësues, sa më tepër ta konsumosh,aq më tepër e kërkon dhe ja ndien nevojën. Për të tillë fuqi e kisha fjalën, për të tillë pushtet. Vërtet unë e pranoj atë që thua ashtu si nuk dëgjoj e pranoj fjalët e kujt tjetër, por ajo e ka një fund sepse është njerëzore.”

“Ti kërkon diçka hyjnore? Po më përngjan me Fedrin teksa fliste për dashurinë, Platon. E paske dëgjuar me kujdes dhe fjalët e tij kanë zënë vend tek ti, të kanë trazuar me fuqinë e tyre aq ndjellëse për shpirtin, i cili bën çmos  për tu gënjyer me rrëfenja të tilla gatuar me mrekulli. Por nuk do t`i bëje asnjë shërbesë shpirtit tënd, po ta ushqeje me atë që do. Jepi atë që duhet, jepi të vërtetën.”

“Pse, nuk mund të jetë e vërteta hyjnore? A nuk është fuqia e saj aq e pamposhtur nga historia, faktet dhe rrëfenjat sa ta bëjnë atë të denjë për tu quajtur hyjnore? A nuk është pikërisht ajo që na shtyn drejt shtrëngatave të gatshëm për tu sakrifikuar në emër të saj, që t`i lëmë kësaj bote diçka me vlerë? E megjithëse t`i them këto, ende i pabindur, shpesh e gjitha më duket iluzion. Dhe ndoshta edhe e vërteta është një mirazh që na qas drejt saj në një formë akoma më atraktive se vet dashuria dhe ne jemi vetëm robër, robër në këtë luftë drejt kërkimit të saj.”

“Padija është ajo që të shndërron në rob, Platon i dashur. Padija t`i ngec këmbët në llumin e saj, e përveçse të lidh aty, të mban ngrohtë e pak nga pak aq rehat sa nuk e ndien më nevojën të arratisesh prej aty. Ta deh mendjen me çlodhje, e cila në fakt është ngathtësi, e jo shpëtim. Asnjëherë mos dysho tek fuqia e të vërtetës Platon, asnjëherë mos ja bëj vetes këtë mëkat,sepse do të jesh i humbur, ende pa nisur lufta.”

Sokrati

Sokrati

Sokrati e shihte nxënësin e vet në sy, si të ishte aty për t`i treguar rrugën e shpëtimit, si të ishte shpëtimtari, dhe e dinte fare mirë se ç`ndikim do të kishin ato fjalë mbi etjen e tij për të shkuar përtej asaj që mund të kuptohej vetëm nga fjalët. Platoni i dha vetes kohë për të thënë si duhet atë ç`kishte ndër mend dhe hodhi mbi vatër dy dru të holla për ta mbajtur zjarrin ndezur, sepse nata i kishte orët e gjata dhe biseda sa kishte marrë shkëndijat e para. Sa takuan prushin, drutë u nxehën dhe nga çasti në çast e dhanë lajmërimin e tyre kërcitës që i ftonte bashkëbiseduesit ta mbanin bisedën në flakë.

“Por, – ia nisi Platoni, ende dyshoj që të ketë një të vërtetë absolute në gjithçka. Jemi në kërkim të saj sepse ajo ndryshon vazhdimisht, dhe sado ta ndjekim pas për ta gjetur dhe bërë tonën, aq herë më tepër na transformohet në një formë jo të plotë, lë hapësirë për një kërkim më të gjatë. Ah mësues, është kaq tunduese, aq edhe e lodhshme..i japim gjithë jetën tonë dhe ndoshta në këmbim nuk marrim asgjë tjetër veçse pyetje të tjera, hapim rrugë ë s`kanë mbarim..E duam si gjënë më të paçmuar që mund të posedojmë ndonjëherë, e duam më shumë seç duam dashurinë vetë..”

“Të duket sikur nuk po merr asnjë gjë? A nuk e sheh që çdo përsiatje e jotja për të dhënë në diçka prej së cilës kërkon të marrësh është forma më e përkorë e shpërblimit? A nuk  e kupton? Ti je duke marrë,vetëm atë që ke pritur të marrësh, merr vetëm atë qe jep, ajo që ke dhënë do të të kthehet, po prit, duke thënë “ku është?” po e largon nga vetja sepse ndoshta nuk e di mirë se çfarë po kërkon. Të vërtetën apo të kënaqshmen? “

“Po çdo human i friket zhgënjimit, qoftë ky i ardhur nga e vërteta më e pastër..Nuk flas në emrin tim, unë jam i qartë në anën e kujt jam në këtë përballje. Po të vdekshmit mësues?Po ata?”

“Nëse mendon për ata dhe si ata, kujto vetëm kaq: Kur të ti këpusin krahët…do mësosh të ecësh. Zgjidhja është gjithmonë aty, në qoftë se beson vërtet që është aty. Dhe prakticiteti i të vdekshmëve e njeh mirë këtë parim Platon!”

Platoni përdëllehet kur dëgjon këto fjalë të mjeshtrit, që i kujtojnë një nga cilësitë më të thjeshta e më jetëgjata të ‘të vdekshmëve’: “Të vdekshmit.. ata që i falen dashurisë..këtij demoni të pashmangshëm..”

“Pa qenë demon, s`ka sesi të ta trazojë mendjen në këtë orë të natës. Po fundja, ndoshta i duhet qenë falenderues që na shtyn në mëkate të tilla..”- i tha ngadalë Sokrati dhe ngacmoi qetas vatrën nën oxhak për të ngrohur një bisedë akoma më të flakë..

Delinda Muçollari

Sibora Bitri

Tiranë, 2014

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s