Archive for December, 2014

sokrati-6

Në prag të mesnatës, pija i kish rënduar mendjet e trazuara të të ftuarve. Fjalët e tyre, në përpjekje për të qenë sadopak të kuptueshme, përfundonin duke u tallavitur si anije të lodhura në të kuqtë e verës. Vetëm ata të dy, të zotët e shtëpisë, duke i mburrur veten vetes që nuk u mposhtën aq kollaj nga pija, e ftuan njëri –tjetrin pranë oxhakut për bisedën e rradhës. Si për të krijuar një intimitet ndjellës, posaçërisht të denjë për diskutimin e tyre, drutë që digjeshin mbi vatër e ndalën për pak kërcitjen dhe nisën të digjeshin urtë pa i shqetësuar me shkëndija të befasishme. I pari ishte Platoni që e lejoi mësuesin të zgjidhte vendin më komod për tu ulur. Aty për aty, u rehatua edhe vet, deri në atë pikë sa mund të ndihet rehat një ushtar që e çon shpesh nëpër mend humbjen e betejës  që prej fillimit, ngaqë i ka mësuar mirë disa nga armët më të forta të  kundërshtarit, apo edhe më keq, ngaqë ka frikë se ende nuk ka mësuar asnjë gjë.

“Ishte kaq e lehtë për pijen t`i nënshtronte ushtarët e vet, mjeshtër. Sa mirë do të ishte që dikush ta kish fuqinë e fjalës të tillë, si pushteti i verës, sundues, pa pasur nevojën për të qenë bindës apo urdhërues. Madje madje, dikush të kishte privilegjin që të tjerët tja kërkonin medoemos sundimin e fjalës së tij, si çelësi i çastit të lumtur. A thua se ndodh, mësues?”

“Po më pyet Platon? … A nuk e more përgjigjen tënde ende pa folur unë?

Platoni, mbetur ngushtë, iu frik mendimit se s`do të ishte në gjendje të ndërtonte një dialog të denjë, nëse Sokrati do i priste në të tillë formë pyetjet e tij, e sidomos këtë pyetje të parë që vetëm synonte të nxiste dialog. Pa qenë tërësisht brenda kontekstit, guxoi të pyeste:

“A do mundeshim të mësonim diçka pa pyetur mësues? Qoftë edhe veten? Kujt do i përgjigjeshim në atë rast?”

“Natyrisht që çdo pyetje që na lind, dëfton se kemi mësuar diçka të re, por mos mu largo prej asaj që kërkove Platon. Ti pyete nëse është e mundur që dikush ta ketë të tillë pushtetin e fjalës, sa tja kërkojnë të tjerët si çelësin e një çasti lumturie. Më pyete mua, sepse kërkon të dish diçka dhe kërkon ta dish nga unë. Më pyete se beson tek ajo që them dhe përgjigjet e mia të duken zgjidhjet e duhura. Kur marrim një përgjigje, heqim një barrë, barrën e asaj pyetjeje që na ka munduar. Heqim një barrë dhe në vend të saj përjetojmë një moment çlirimi, gati-gati një çast lumturie. Më kupton tani Platon?” (more…)