Llazar Semini në 24 orë

Posted: March 12, 2014 in INTERVISTA, PERSONAZH

llazar

–  Delinda Muçollari –

Reporteri i Shqipërisë për Associated Press, Llazar Semini, rrëfen vështirësitë e punës për një agjenci ndërkombëtare lajmesh, sfidat dhe synimet në jetën e tij profesionale. “Më nxit nxjerrja në pah e vështirësive të këtij populli të vogël në përpjekjet e tij tepër të vonëta për integrim në këtë botë-ëndërr për të.”- shprehet Semini për gazetën “Reporteri”.

Raporti me zilen e alarmit në mëngjes, mirë apo keq?

Shumë normal, pak para ose në orën 07:00. Normal, pasi jam i qetë në gjumë dhe e shfrytëzoj atë mirë.

“Meraku” i parë që keni sapo zgjoheni?

Kujdesem për përgatitjen e fëmijëve për në shkollë.

 

Është për ju kafeja e mëngjesit një ritual i përditshëm?

Është zgjimi im i vërtetë në kafenë e qetë me një ose disa nga shokët e mi.

Kur dhe si nis dita juaj e punës?

Rreth orës 09:00, hap zyrën zyrtarisht dhe filloj të lexoj shtypin e përditshëm dhe mesazhet e shumta të ardhura në e-mail.

Si filloi karriera juaj pranë Associated Press?

Filloi në vitin 2002, në gusht pasi paraardhësja ime u largua në emigracion.

Cila ka qenë ngjarja e parë që keni mbuluar në punën tuaj në AP?

Nisje e qetë gjatë kohës së pushimeve verore në gusht 2002. Te jem i sinqertë, nuk e mbaj mend lajmin e parë me AP. Do të më duhet t’i kthehem dosjeve me lajmet e printuara.

Po lajmi i fundit që keni shkruar?

Marrëveshja dhe huaja me FMN-në, një lajm që mendoj se kishte shumë më tepër rëndësi se zhvillimet e tjera ‘të zakonshme’ politike në vend.

Cilat janë vështirësitë e punës në një agjenci ndërkombëtare lajmesh?

Tërheqja e vëmendjes së burimeve të lajmit, dmth i institucioneve shtetërore dhe atyre private për rëndësine e lajmeve të zakonshme, veç atyre politike; gjetja e reagimit ose materialit të plotë në burimet zyrtare; sigurimi i një lënde të plotë edhe për një  lajm tepër të thjeshtë apo të vogël; shmangia e ndikimeve politike dhe përfaqësuesve të tyre në aktivitetin e përditshëm.

Cila është diferenca mes punës në AP dhe në Reuters?

Shumë pak, për të mos thënë aspak. Duke qenë se kam punuar me të dy agjencitë ndërkombëtare, mund të them se Reuters i kushton pak më shumë vëmendje lajmit ekonomik, financiar, ndërsa AP kërkon që gjithnjë të hedhë edhe ‘qëllimin’ social në çdo lajm ekonomik, pra të tregojë për një lexues të zakonshëm vlerën e një aktiviteti ekonomik në jetën e përditshme të njerëzve të zakonshëm.

Cilat janë dilemat e një gazetari që raporton lajme ndërkombëtare?

Për mua do të thoja se është hedhja e sa më shume lajmeve nga Shqipëria, për t`a bere këtë vend të vogël të pranishëm në këtë botë të madhe e shpesh të painteresuar për vende të tillë të vegjël.

Në praktikën e përditshme, do të thoja që një dilemë është momenti i fillimit të një lajmi, përpjekja për të qenë një ‘shkrimtar’ i painteresuar drejtpërsëdrejti për të, kështu që të jepet vërtetësia sa më reale e një zhvillimi. Kjo vlen veçanërisht në momente të rëndësishme ose në mbulimin e ngjarjeve të rëndësishme në vend.

Sa ndikojnë marrëdhëniet diplomatike mes shteteve në raportimin e ngjarjeve ndërkombëtare?

Do të thoja aspak, pasi AP është një agjenci ndërkombëtare e pavarur, që lufton vetëm për të realizuar qëllimin e saj të mbulimit të të gjithë zhvillimeve të rëndësishme në botë, duke patur përballë edhe një konkurrencë tepër të ashpër nga kompanitë e tjera rivale.

Çfarë nxit dhe cfarë dekurajon një gazetar si ju?

Më nxit prania e lajmeve nga Shqiperia, paraqitja edhe e zhvillimeve të bukura të këtij vendi, shpesh të panjohura tek fqinjët, nxjerrja në pah e vështirësive të këtij populli të vogël në përpjekjet e tij tepër të vonëta për integrim në këtë botë-ëndërr për të, janë të gjitha përpjekje të vazhdueshme e jo shpesh të arritshme lehtë.

Dekurajues është mjedisi i punës së një gazetari, që shpesh ndeshet përballë një negativizmi nga institucionet shtetërore a publike, përpjekje për imponim, sidomos politik, e shpesh pamundësia për të marrë materialin e bollshëm e të mjaftueshem për të arritur një shkrim interesant; për të mos përmendur shpesh presionet e formave të ndryshme.

Sa orë të ditës ju konsumon puna?

Zakonisht 8-9 orë, duke mos marrë parasysh ndjekjen e vazhdueshme të emisioneve të lajmeve edhe në orët e vona të natës.

Keni gabuar ndonjëherë në raportim?

Pa diskutim që po. Por, e theksoj, asnjëherë me qëllim.

Agjencitë ndërkombëtare e kanë shumë të qartë procesin edhe në një rast të tillë: transparenca, dmth korrektimi i menjëhershëm, i qartë dhe nxjerrja e lajmit të saktë.

Cilat janë rregullat e punës suaj?

Ndershmëria, korrektësia, saktësia, qenia i sinqertë me veten, mbulimi i çdo zhvillimi në vend, nxjerrja e çdo lloj lajmi pavarësisht animeve politike, profesionalizmi dhe gjetja e të paktën dy burimeve për çdo lajm, sidomos ata politike.

Natyrisht dhënia e një lajmi sa më parë, sa më shpejt edhe se sa konkurrenca.

Ku ju gjen dreka në një ditë të zakonshme pune?

Pothuajse gjithnjë në vendin e punës, pasi është një moment kur duket se shtohet sasia e punës, qoftë edhe e angarive të përditshme.

Kur mbyllet dita juaj e punës?

Zakonisht rreth orës 18:00.

Çfarë bilanci bëni në fund të ditës?

Nëse kam mbuluar gjithçka me interes për një publik ndërkombëtar e nëse janë dhënë të gjitha detajet, burimet, shpjegimet në një lajm për ta bere atë sa më të plotë.

E pse jo, edhe ndonjë pranim në vetvete se çfarë mund të bëhej ndryshe ose më mirë dhe qoftë edhe një plan i vogël në mendje se çfarë mund të bëhet në të ardhmen e afërt për ta përmirësuar atë.

Jeni dakord me shprehjen “lajmi i keq është lajm i mirë”?

Jo aq, pasi është një aksiomë që shpesh përdoret jo me qëllimin e duhur, ose jo nga personat e duhur. Shpesh janë pikërisht këta të fundit, ’kritizeret’ që nuk janë në gjendje, ose nuk dëshirojnë të ofrojnë edhe ’ndihmë’, dmth punën e tyre për të siguruar lajme të mira. Për mua nuk ka lajm të mirë e të keq, por thjesht lajm që mund të jetë diçka e re me interes për t’u lexuar nga një person kudo në botë, që mund të mos e njohë fare këtë vend të vogël për të cilin po flitet.

Cila është motoja e punës suaj?

Të qenit i sinqertë e profesional me veten, pasi një kërkesë e tillë nga agjencia është e padiskutueshme.

Bërja e këtij vendi të pranishëm në median ndërkombëtare. E nëse do të mendoja pak si shqiptar, një gje e tillë them se mund të jetë kontributi im më modest për këtë vend.

Shkurt, 2014

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s