Imazhi i Shqiperise ne bote

Posted: January 20, 2014 in AKTUALITET

Nga Delinda Muçollari

Të jetosh në një vend si Shqipëria, me një demokraci të re dhe ende tepër të brishtë, është fati i secilit prej nesh që hamë çdo ditë bukën e kësaj toke

. Nëse dikur krenaria kokëfortë e të qënit shqipëtar na shpëtonte paq nga çdolloj epiteti nga të huajt, sot, në epokën e vështirë e po ashtu shpresëdhënëse të globalizimit, na duhet të ulim hundën dhe të gjejmë veten se ku qëndrojmë në krahasim me qytetarët e tjerë të botës. Jo për arsye patriotizmi domosdoshmërisht, as për arsye studimesh e statistikash. Na duhet ta marrim përsipër njohjen e vetes në një kontekst më të gjerë sepse tani po e kuptojmë se qenka tepër me rëndësi edhe për ne, për shoqërinë tonë, ekonominë tonë, familjen, shtëpinë, veten.. E nëse ndjenjat komunitare na janë shuar sadopak, egoizmi i pandreqshëm do bëjë të vetën dhe do na vërë në punë.

Të flasësh për imazhin e vendit tonë në arenën ndërkombëtare, si është ndërtuar ai dhe si mund të përmirësohet, të duhet të lidhësh me njëra-tjetrën njohuri historike, gjeografike, sociologjike, etnografike e sigurisht politike. Çdo element i prezantuar me apo pa qëllim para fqinjëve e më tej, është një tjetër faktor i vlerësimit të Shqipërisë nga aktorët e huaj qofshin këta qytetarë të thjeshtë apo kryeministra historikë.

Ajo panoramë e ngulitur e shqiptarëve të viteve `90 që shtypnin njëri-tjetrin në një anije me destinacion bregun italian, fanitet si një peisazh personifikues i shqipëtarëve për vite me rradhë. Po ashtu, situata e vështirë pas rënies së firmave piramidale në vitin 1997  është një tjetër peisazh i njohur në arenën ndërkombëtare që ka ndikuar negativisht në imazhin që të huajt kanë për vendin tonë. Megjithatë, në ditët e sotme, kur bota e informacionit dhe komunikimit multimedial është përcjellëse e gjithçkaje, kudo e kurdo, është e mundur që të rifreskohet dhe përmirësohet ndjeshëm imazhi i Shqipërisë në çdo aspekt.

Roli i medias ndërkombëtare, ka qenë thelbësor në përcjelljen e informacionit rreth vendit tonë për qytetarët e huaj në Europë, Amerikë, Kanada e kudo, dhe duhet thënë se ajo që shkruhej e thuhej në këto media për vite me rradhë nuk ka qenë aspak dashamirëse ndaj nesh. Të dhëna të tjera nga agjenci ndërkombëtare si Transparency International u kanë dhënë dorë “gojëve të liga”. Kur kjo agjenci deklaroi se Shqipëria ishte një nga vendet më të korruptuara dhe me demokraci hibride, natyrisht që shumë media shkruan për këtë fakt. Akoma më tepër shkruhej në reportazhet e viteve të fundit nga “The Guardian”, ku thuhej se në këtë vend “është më e lehtë të gjesh një zanë mali, sesa një autobus në orar”.

Ndryshime të vogla kanë ndodhur vetëm gjatë viteve të fundit kur “ambasadorë” të artit, sportit dhe shkencës kanë lënë gjurmë në kujtesën e të huajve si shqiptarë që e kanë nderuar këtë tokë. Këta kanë zëvendësuar diplomatët politikë që shfaqen heshtur nëpër takime politike, e po ashtu kanë zbutur atë imazh të rëndë të shqiptarëve kriminelë të pashpirt dhe kryeneçë si malet e ashpra ku jetojnë.

Prej kohësh tashmë i mëshohet idesë se dhuratat e natyrës duhen shfrytëzuar si një nga çelësat kryesore të zhvillimit të turizmit, ekonomisë dhe tërheqjes së investimeve të huaja në vend. Por ndodh që ndërsa viziton një kompleks turistik shumë të vlerësueshëm nga ana aritekturore dhe estetike, që ofron komoditet e luks, has në një shërbim mjaft kokëfortë që  nuk justifikon koston që paguajnë vizitorët. Kjo ndodh sepse shpesh është e gabuar mënyra që zgjidhet për të arritur një qëllim. Investimet shkojnë në destinacion të gabuar. Në vend që t`i mëshohet arsimimit cilësor, korrektësisë së sistemit shëndetësor dhe të tjerave pika kyçe të një shoqërie, aktivitete të tjera të fryra e të kota sfumojnë atë që ka me të vërtetë rëndësi.

Kur Konica kritikonte me të drejtë autoritetet e kohës që punonin alla shqiptarçe, të gjithë naimianët vjershëtorë gati e mohuan për shkak të qëndrimeve të tij ‘aspak patriotike’. U ngritën në qiell emra që e hanin Shqipërinë nga brenda dhe nuk u vlerësuan figura të tilla si Konica që e njihte fare mirë ndikimin amerikan dhe e përkrahte atë, e dinte që i duhej fort vendit ajo dorë e fortë, të cilën sot po e lypim përulësisht përditë.

Edhe sot ka bij Konice që i rrahin me objektivitet çështjet shtetërore e diplomatike, njerëz që e dinë mirë ku çalon puna, por ata nuk i dëgjon askush. Veshit tonë i vjen mirë të dëgjojë pafund lavde naimiane që u përgjunjen maleve dhe brigjeve me dashuri, e duke u mbytur në dashurinë e vet humbin në hiç. Në këtë rast një francez do të na thoshte: “La vie n`est pas amore et d`eau fraiçhe!” (Jeta nuk është dashuri e ujë i freskët.) Jeta e kërkon punën çdo ditë,të palodhur, të pastër e të qëllimtë. Ashtu edhe Shqipëria, që t`i ndrijë shqipja mbi flamur e jo të na e nxijë faqen në sy të botës, kërkon përkushtimin e duhur të qeverisë, medias kombëtare, bizneseve të vogla e të mëdha, kërkon pandalshmërisht përkushtimin e çdo individi për të qenë sot dhe nesër një qytetar i denjë i botës. Pa u verbuar nga lakmia personale, pa u fshehur në mentalitete të vjetra nacionalistësh, pa u krekosur për beteja të fituara dhe pa ia vënë fajin gjithnjë të tjerëve. Nuk ka nevojë për shkencë, por për qytetari, ashtu si një edukatore iu mëson çdo ditë fëmijëve të kopshtit që duan të zbulojnë sekretin e jetës. Ka vetëm një fjalë të urtë: “Mos u mburr, mos u lëvdo, po ul kokën e puno!”Image

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s