“Grerëzat thumbuese”, risia e suksesshme e rrjetit

Posted: December 11, 2013 in AKTUALITET, INTERVISTA, PERSONAZH, SHOWBIZZ

Nga : Delinda Mucollari

Image

Kur të gjithë gazetarët po kërkonin një copëz vend në një televizion kombëtar ose jo, për tu bërë pjesë e botës së madhe të medias vizive, dy vajza zgjodhën të pushtojnë një strehë tjetër të komunikimit me publikun: Youtube!

Aulona Musta dhe Fatma Haxhialiu, “mistrecet” që kurrsesi nuk mund t’i nënshtroheshin rregullave strikte të një medie konvencionale për të sjellë në jetë projektin e tyre, preferuan këtë formë prezantimi në publik duke marrë mbi vete peshën e riskut të një sipërmarrjeje të paaplikuar më parë në Shqipëri. Ideja për të ndërtuar një program të tillë si “Thumb” ku komentohen, vlerësohen dhe ngacmohen personazhe të jetës publike në vend, e veçanërisht ata të botës së artit dhe medias, u prit me skepticitet nga drejtuesit e televizioneve në momentin kur Fatma dhe Aulona u propozuan këtë lloj projekti dhe të tjerë të ngjashëm me të.

Të dyja gazetaret trokitën në dyert e Tv Klan, ORA NEWS, në televizionin muzikor BBF e në Vizion+ ku Fatma propozoi një talk show darke, por të gjithë rrudhën vetullat ndaj kësaj risie e ndaj dy vajzave qe nuk stepeshin për të thënë ca të vërteta që do të nxirrnin në skenë “antiprogramin”.

Aulona:

“E patëm të vështirë të depërtonim në televizion në fillim, nuk e kuptonin këtë format. Duke qenë të drejtpërdrejta, të sinqerta e pa doreza, domosdoshmërisht do krijosh mërzi, hatërmbetje e “hasmëri” tek të tjerët. Televizioni ka censurë, kërkon impostim, pozicionim, ndërsa “Youtube” është media jonë, shtëpia jonë ku jemi të lira të themi atë që mendojmë, normalisht brenda një etike që jemi përpjekur ta ruajmë. “Youtube” është media e së ardhmes dhe aty jemi vetë pronare.”

Ndërsa Radio NRG ishte e vetmja media që hapi dyert për vajzat me programin radiofonik “Sillikon”, të tjerat ndiqnin nga larg puntatë pas puntate “Thumb-in”, i cili pati klikime të pafundme që prej startit të tij. Si pjesë e universit virtual të komunikimit, edhe në rrjetet e tjera sociale si “Twitter” dhe “Facebook” pati reagime pozitive ndaj këtij formati. Mesa dukej, sytë e audiencës tashmë ishin zhvendosur nga media tradicionale, drejt këtij gjigandi komunikimi që nuk të kufizon as në kohë, as në hapësirë. Vetëm pas disa puntatash në “Youtube”, ku vajzat me humorin, spontanitetin, ironinë e sarkazmën me të cilat personifikohen sot flisnin për të rejat më të fundit të showbizz-it dhe jetës artistike e private të personazheve të njohur, diçka në perceptimin e nismës së tyre ndryshoi.
Befas, televizionet me rradhë po kërkonin prezencën e Aulonës dhe Fatmës në ekranet e tyre si identifikim i një zëri të ri femëror, që nuk i druhet përballjes me “të përfolurit” e tyre dhe që publiku i kërkonte vazhdimisht t’i shihte.

Fatma:

“U përpoqëm të thyejmë klishenë e vajzve që vetëm buzëqeshin para kamerave dhe thonë “publicitet”! Deshëm të qëndrojmë larg këtij stereotipi. Kemi sjellë një tjetër imazh të vajzave që bëjnë shaka e batuta, që deri diku e kalojnë cakun me “gricjet” e tyre, gjëra që jemi mësuar t’i shohim vetëm nga meshkujt. Po ashtu mënyra si i trajtojmë temat e programit, e cila ngjason me bisedat e përditshme mes shoqesh, ndikon që shumëkush të gjejë veten. Këto dy arsye kanë sjellë impaktin e mirë në publik.”

Në këto rrethna mjaft të favorshme, brenda një kohe të shkurtër, vajzat e gjetën veten në ekranin e A1 Report që transmeton videot e tyre të “Youtube”, në vijën e parë të “Top Show Magazine” përkrah Alban Dudushit, në daljet e tyre të shpeshta tek “Zonë e Lirë” në Tv Klan dhe së fundmi pjesë e spektaklit “Dancing with the Stars” në Vizion+. Dyert e mbyllura u shndërruan në tapete të kuq për dy vajzat thumbuese.

Fatma:

“Kur nuk ka ndërhyrje burokratike dhe kur krijon lidhjet e njohjen e duhur, gjithçka bëhet më e thjeshtë.”
Ndërkaq, Aulona pa hequr dorë nga qëndrimet kritike shprehet: “Kriza e medias bën që një i punësuar të bëjë tre punë dhe të paguhet sikur bën vetëm një, dhe drejtuesit apo përgjegjësit nuk janë të interesuar të përfshijnë në ekranin e tyre persona të jashtëm.”
Megjithtë, vajzat i kaluan këto vështirësi. Kleçka tashmë qëndronte tek reagimi i personave të komentuar tek “Thumb”. Rovena Stefa e çoi deri në gjykatë akuzën për shpifje ndaj vajzave dhe u tërhoq vetëm dia javë më parë. Këngëtari kosovar Blero reagoi në rrjetet sociale duke i fyer rëndë vajzat. Njëkohësisht, të tjerë inividë i kanë “përndjekur” në një lloj forme me kërcënime e telefonata të shpeshta e kanë këkuar të mos u përmenden më nga “grerëzat thumbuese”.

Aulona:

“Ajo që ata nuk kuptojnë, është se ne themi atë që thuhet kudo në rrjetet sociale, pa u bërë komplimenta të shtirë e furça siç janë mësuar të ledhatohen nga të gjithë.”

Ndërkaq, zëri i vajzave nuk ka kaluar pa u dëgjuar nga personalitete të medias, ndër të cilët Adi Krasta, që i ka cilsëuar i dy ndër njerëzit më me ndikim në vend; Edison Ypi -gazetari pa filtra censurues- ka shkruar me superlativa për to dhe në mënyrë të vazhdueshme kanë pasur përkrahjen e Alban Dudushit dhe të Arian Çanit, që u shkon shumë për shtat karakterit të vajzave.

Tashmë, Aulona dhe Fatma e kanë ndërtuar një vend të tyrin në fushën e medias. Rrjeti triumfoi mbi tradicionalen duke i dhënë një mësim të mirë sesi komunikimi virtual po sundon botën e komunikimit dhe po orienton drejt modifikimit edhe mediumet e tjera. Ndërkaq, lozonjaret e “Thumb-it” i dhanë një mësim të mirë pseudopersonazheve publikë duke u thënë: “Watch out! Ne po ju vëzhgojmë!”

Nëntor 2013

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s