“Një burrë i vërtetë nuk lëndon një grua..”

Posted: November 19, 2013 in AKTUALITET

 

  Nga Delinda Muçollari

Je një vogëlushe 7-vjeçare dhe lumturohesh nga ideja se mund të veshësh fustanka, të vësh kordele, të lyesh thonjtë e buzët fshehtas me buzëkuqin e mamit, të mira që shokët e klasës nuk mund t’i gëzojnë. Ata- me pantallona!

Je adoleshente dhe emocionohesh ndërsa ëndërron princin që do të ndërtojë skena romantike për ty, që do të të pëshpërisë fjalët më të ëmbla, që do të të dhurojë lule e do përulet në gjunjë për të të bërë të ndihesh e vetmja. Ai- i dashurueshmi!

Je një vajzë e rritur, e bindur se mund t’ia dalësh ndaj kujtdo, kudo dhe ecën me kokën lart ndërsa mendon se shumë djem do të linin kokën pas teje për sigurinë që ke, për tipin dhe karakterin që të dallon nga të tjerat, për hijeshinë që reflekton mbrëmjeve, për prakticitetin në kushte të pazakonta. Dikush prej tyre do të të dallojë – një i shumëpritur..

Dhe asnjëherë, mes këtyre ditësh të vakëta e të shpejta nuk mendon se ndoshta asgjë nga ç’ke pritur e planifikuar mbi atë figurë qëndrore të jetës tënde nuk do të realizohet. Por secila prej nesh rritet, rritet jo vetëm nga pesha e viteve, po nga ajo që mëson, sheh e dëgjon çdo ditë përreth teje. Rritesh dhe pse bën sikur nuk i di ca gjëra, dhe pse je e bindur se ty asgjë e keqe s’mund të të ndodhë. Rritesh dhe atëherë kur koka të çmendet me lajme që të bërtasin në vesh sesi një vogëlushe, një adoleshente, një vajze, një femre si ty i janë prerë krahët e ëndrrave prej atij që supozohej të ish fluturimi i saj.

Por nuk dua të flas sot për koka të prera të groposura si rituale kanibalësh, as për përdhunime të neveritshme në spitale ndaj dikujt që ëndërronte veç mbijetesën, as për 28 të vrarat e vitit të kaluar që u ndëshkuan paturpësisht nga të afërmit e tyre..  –“Ku ka turp për të vrarë! Burrat vrasin dhe burgu për burra është! Turp është të ngrejë zërin vajza e të veshë minifund!”

Njerëz që s’meritoni as emrin që mbani!

Por s’dua të flas për ta! Krimet dhe barbarizmat e kanë të pllakosur mbi vete vulën e zezë të ferrit –  ato i dënojnë të gjithë, është e thjeshtë fare! Hë! Unë ia kam frikën atij krimbi të vockël që të ha kockat përditë. Unë i druhem asaj fjale që të thonë pa menduar e të lënë të të brejë dhe në gjumë. Unë i ruhem atij mashkulli që i sofistikon armët e tij të të vrarit.

Më vjen të rebelohem kur mendoj sa e sa raste kur një femër si unë, në ëndërrimet e saj të pandalshme për t’u bërë një grua e mandej një zonjë, fyhet nga një mashkull në pamundësi të përhershme për t’u bërë burrë, zotëri jo e jo. Zhgënjehem kur shoh fqinjen time duke hedhur sytë rrugës ku mund të ecte çdo mëngjes për të shkuar në punë, në këtë vendin ” e paturpshëm” që i shoqi s’ia lejon se “gruaja për shtëpi është! Puna është për burrat! ” Zhgënjehem kur takoj shoqen e fëmijërisë e më thotë që është martuar me një emigrant 40 vjeçar që i paskërkësh përmbushur dëshirat e prindërve. Zhgenjehem kur kujtimesh më vjen ndërmend ai mësuesi i pështirë i matematikës që përqafonte vajzat për tu shpjeguar rregullin e treshit pasi vinte në klasë dendur në alkool e duhan të qelbur! Zhgënjehem kur më flasin për kushëririn që i mori vetes jetën si burracak nga borxhet e pashlyeshme të kumarit dhe i la vejushës së vet turpin, dhimbjen e borxhin, e i la së bijës një mbiemër të ulët. E zhgënjehem, zhgënjehem pa fund kur gjithçka vazhdon pa u tkurrur aspak, por bymehet dhe zgjerohet sa i do qejfi alkolit e kumarit, sa ia ka ënda Lekës dhe Dukagjinëve të tjerë, sa t’i mbushet mendja vjehrrës dhe vjehërrit “të ditur” që nënshtrojnë nusen e porsaardhur dhe dhëndri i ri i mezirritur vë vulën që nënshkruajnë prindërit. (-I kthehet fjala babait?)  E gjithçka shkon deri atje ku s`mban më, aq sa t’i thotë mendja gangsterit që ka zbuluar botën me një cigare hashashi dhe ia kthen në rrënojë shtëpinë së ëmës, aq sa t’i lejojë “emancipimi” çunit që i thotë të dashurës “të tradhëtova se mu dha mundësia”, aq sa të bindet ai intelektuali me shkollë se nuk e gjen gjë burrin po nuk e çorri zërin dhe nuk është turp të bësh dhurata kur nuk ka festa e ditëlinje, nuk është ulje kur i hap derën bashkëshortes pas një komplimenti të pëshpëritur, se nuk është palaçollek ta përqafosh mes njerëzish e t’i shtrëngosh dorën për t’i ndjerë shpirtin, e nuk lë nam po i këndove një serenatë e po i shkrove ca vargje..

Po është kaq bukur të dish se nuk ke limite për të qenë e për të bërë dikë të lumtur, se asnjë opinion i papërfillshëm publik s’të bën dot gjë, e nuk ka jetë më të gjatë se ajo që jetohet me dashuri e respekt. Kur ta kuptoni këtë, meshkuj të dashur, do të jetë më e mirë bota! Do të ketë edhe të tjerë Hulio Iglesias, nuk do të jetë më himn i femrave kënga e Beyonce ‘You’re just a boy, you don`t understand!’ , po edhe Rozana Radi s’do t’i qajë më recitimet e përvuajtura të këngëve të saj. Mos qoftë ajo, dita kur gratë të jenë të lumtura veç përkrah grave, e burrat të livadhisin me shokë, po të jetë sot momenti kur të kuptoni se emrin “Mbret” do ta meritoni veç kur t’i trajtoni gratë tuaja si “Mbretëresha”!

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s