Poeti i pamposhtur Skënder Rusi, në një rrëfim poetik “Dhimbja ime e bukur është … dashuria!”

Posted: October 9, 2013 in INTERVISTA, LIBRI

Image

Duket sikur fshihet brenda shtëpisë së tij të qelqtë. Gjithkah i rrethuar me mijëra libra e miliona vargje,në këtë vend që dikujt tjetër do t`i dukej i çuditshëm për të jetuar, atij i përngjan me strehëzën më të përsosur mbi tokë. I ulur pas skrivanisë së drejtorit në bibliotekën e qytetit, poeti Skënder Rusi pret me dashamirësi çdo vizitor të rastit duke e vëzhguar imtazi për të ‘vjedhur’ ndonjë varg tek secili. Tashmë prej 17 vitesh është i zoti i shtëpisë në bibliotekën“Thimi Mitko”, të cilën me krenari e quan ‘syrin e bukur të qytetit brenda të cilit jeton ai’. I cilësuar si një ndër lirikët më brilantë të vendit tonë e sigurisht një ikonë nderi i qytetit të Korçës, Rusi mban mbi supe një histori të gjatë sfidash dhe fitoresh që në fillimet e tij në periudhën komuniste e deri më sot, në ditët e tij të lavdishme.

Tashmë me një sërë botimesh të zhanreve të ndryshme, duket qartë se ‘i ka mbetur besnik të dashurës së tij të parë, poezisë’, siç do të thoshtë shkrimtari Thanas Jorgji.

“Dua të kem fatin e Gëtes”, rrëfehet  poeti, “ai shkruante poezi dashurie edhe kur ishte 80 vjeç.” Ka shkruar Rusi edhe drama, edhe komedi të cilat janë vënë në skenën e teatrit, por ai s`do të mund ta zëvendësonte kurrë raportin e pazgjidhshëm mes tij e vargjeve poetike për aq kohë sa mund t`i zotërojë ato. Jeta e tij e shkruar tashmë në aq shumë vargje, është shndërruar në një poemë të pafundme prej së cilës ushqehet. Ai i flet asaj si të ishte njerëzore, sikur të merrte frymë e të kishte shpirt e i thotë:

“Poezi, ti ishe gruaja,

Të tjerat dashnore ishin…”

Shkruan përditë, nuk mund të rrijë dot pa shkruar, i thotë vetes: “E bëra detyrën!”                        “ Jam si një avion në rrezik, që hedh jashtë një pjesë të bagazheve për të evituar rrëzimin, po ashtu unë hedh në hapësirë mes njerëzve poezitë e mia dhe  lehtësohem. Duke rrëfyer pushtoj njerëz të tjerë, ama jam një pushtues i mirë.”

Është poet që frymëzimin e ka të pakohë e të pavend, kurdo e kudo rrëmben muza e i shndërron në vargje. Ai jeton me poezine në çdo hap e në çdo fluturim të tijin poetik e nuk mund ta ndajë dot nga vetja: “Poezia është një tjetër Unë, është impulsi i pandalshëm i jetës sime”.              Brenda tij nuk ka përleshje krenarie mes njeriut dhe poetit, ata janë shkrirë në një substancë magjike prej së cilës lind vargu, varg që i është dedikuar aq shumë familjes së tij: vajzës Nadja e djalit Eris, pasardhësit të tij të letrave, varg që i ka shprehur shqetësimet bashkëshortes, një nga ndihmëtaret më të mira të poezisë së tij, ajo që i ka qëndruar në kokë si redaktore dhe si lexuese e parë e krijimeve. Është ajo lexuese e heshtur që pranon çdo lloj ‘tradhëtie’ poetike, çdo kompliment drejtuar  një vajze të panjohur e çdo ndjenjë naive të Rusit, duke justifikuar bashkë me të sublimitetin e çdo vargu. Për të, Skënder Rusi do të shkruante:

“Gjithnjë të dashuruara

këto gratë e poetëve!

Paçka se i sheh aq rrallë nëpër iniciale!

o…po ato janë fillimi i çdo vjershe,

dhe fundi i çdo marrëzie të madhe!”

Si lirik, nuk mund të ishte ndryshe veçse më tepër se i ndjeshëm dhe më tepër se i dashuruar. Shumë njerëz madje e akuzojnë se ka shumë dashuri e femra në vargjet e tij, duke harruar se në lëkurën e një poeti ndihen dhe përjetohen edhe dashuritë e të tjerëve duke i bërë ato me mijëra. Megjithatë, ai nuk e ndien nevojën të gjeje pretekste, poetët e vërtetë s`ia lejojnë vetes autocensurën. Misioni i tij ka për të mbetur gjithmonë dashuria si ‘e vetmja mënyrë si duhet të jetojmë dhe po e tilla si duhet të vdesim’..

E përshkruan veten herë si një shenjt tekanjoz e herë si mëkatar të mirë, e vërteta është se e sheh veten diku mes të dyve, në një trajtë njerëzore që di të përjetojë dhe dashurojë pafundësisht e po ashtu në një trajtë hyjnore që vetëm poetët dinë ta njohin.  Është njeriu që nuk e njeh urrejtjen dhe poeti Krisht. Është edhe kryq, edhe i kryqëzuar:

“ Kush do vijë me mua se do nisem tani,

Të gjej atë që botën bëri.

Dashuri unë jam, por dhe pak xhelozi,

Edhe pakëz Krisht, ose i tëri.”

Tek flet për sfidat dhe pengjet e së kaluarës, kujton miqtë dhe armiqtë, të dy të pandashëm në karrierën e Rusit. Flet me nderim për  mikun e pashoq Dritëro Agollin, fotografinë e së cilit e mban varur në mur në krah të zemrës. E si çdo ditë, në derën e tij troket regjisori dhe aktori i vjetër Dhimitër Orgocka, që nuk heziton të shprehë vlerësimin ndaj një miku të tillë, të cilit ia njeh poezitë si gishtat e dorës. Po ashtu, çuditshëm pa asnjë lloj mërie, pranon se ka patur dhe ka ende armiq të krijimtarisë së tij, armiq që ia kanë bërë më të zjarrtë dëshirën për të mos u ndalur asnjëherë: “Mos të lëntë Zoti pa armiq! Ata janë grafomanë që verbohen nga lavdia e të tjerëve, por që i duhen poetit ashtu si çdo gjë tjetër mbi tokë.”

Të njohur e të panjohur e njohin lirikën e poetit korçar përballë çdo vargu tjetër. Është poezia që ndërthur lirizmin me meditaconin, është poezia që përmban dashuri e dhimbje, eros, natyralitet, mall, dëshirë, marrëzi, shpresë e sidomos trishtimin rusian. Dikur e kanë quajtur Lasgush të dytë për shkak të lirikave të tij të dashurisë, epitet që ai refuzon ta mbajë. Ai është ai dhe askush tjetër, ai është Skënder Rusi, një emër që me siguri ka për t`u shkruar gjatë..

Delinda Muçollari

Shtator, 2013

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s