Intervistë me Olen Çezarin

Posted: May 24, 2013 in INTERVISTA, PERSONAZH

olen ceazri http://www.youtube.com/watch?v=W72Gjk8DG_g

Rrëfen në këtë intervistë për Klan kohën e fëmijërisë, Italinë dhë vështirësitë e fillimit, marrëdhënien me të ëmën, mësuesen e parë të tij, jetën si gjeni (edhe pse thotë se nuk ndihet aspak i tillë), lidhjet me Shqipërinë dhe planet që ruan për këtej kufirit. Është nga ata që të përditshmen e ka të mbushur me udhëtime të shumta, ruan me fanatizëm miqësitë dhe po aq edhe pasionin për teknologjinë. Preferon rrjetet sociale dhe është i pranishëm në çdo kohë, për të dhënë e marrë përgjigje, për të njoftuar të rejat, por edhe për t’u njohur me njerëz të rinj. Me batutën gjithmonë gati, i qeshur, virtuozi shqiptar është i llojit të atyre gjenive që pas një interviste mund ta quash një mik të mirë, me të cilin ke plot gjëra për të ndarë.

-Olen si shkoi koncerti në Meksiko?

Ishte shumë e këndshme. Një qytet i pafundtë, 26 milion banorë, por mrekulli. U kënaqa. Ky koncert u organizua në kuadër të “Camera di commercio italiana” që prezantonte ekselencat italiane në Meksiko dhe unë isha pjesë e ekipit italian. Ky është fati që të jesh me dy nënshtetësi, mburret edhe shteti italian me ne olenat (qesh)

– Pak ditë të shkuara dhe një koncert edhe në Tiranë. Si ju presin kur vini këtu dhe sa të forta janë lidhjet e tua më Shqipërinë?

Unë erdha në Shqipëri sepse u ftuam për koncerte me grupin tim nga Neritan Azizaj tek një lokal shumë i bukur që quhet “Boom Boom Room”, por për hir të së vërtetës një miku im, Alban Kamenica m’u lut që të vij në Shqipëri për koncert dhe e bëra me kënaqësi të madhe. U kënaqëm shumë, publiku ishte i mrekullueshëm dhe i paparashikueshëm. Kënaqësi e madhe si për mua, por edhe për grupin tim ndërkombëtar. Pritja ishte e mrekullueshme sidomos nga publiku i natës së tretë, e cila nuk ishte e parashikuar, por u bë sepse kishte shumë kërkesa. Unë kam lindur në Durrës kështu që kudo që të jetoj ose të shkoj të punoj, gjithmonë i lindur në Durrës do të mbetem. Lidhjet më Shqipërinë janë shpirtërore dhe dy-tre herë në vit kthehem edhe për koncerte ose projekte artistike. Ka rreth 2 vjet që po kthehem më shpesh sepse Shqipëria po ndryshon ditë mbas dite kështu që të tërheq edhe më tepër dëshira dhe kënaqësia e të folurit shqip. Mua më është bërë koka anglisht e italisht (qesh), por avash-avash po kthjellohet prapë.

– Për fat të keq në Shqipëri duket sikur nuk je aq i njohur, ose më mirë të themi i famshëm, sa në Itali dhe gjetkë. A të vjen keq për këtë?

Për fat të mirë apo të keq? (qesh). Nuk jam unë metri i njohurisë dhe as nuk dua që të jetë kështu. Unë banoj në Rome dhe punoj në gjithë Europën, por më shumë në Itali dhe nuk më vjen keq asnjëherë për asgjë të këtij lloji. Jam regjur që kur isha i vogël me publikun që të adhuron dhe të urren, varet me cilin sy të shohin me atë me xham apo me atë pa xham (sipas Kapedanit).

– Kritika botërore të ka quajtur “Paganini i ri”, “Virtuozi i violinës”, por për të arritur deri këtu besoj duhet të jetë dashur edhe shumë punë përveç talentit.

Fillimet e mia janë si fillimet e çdo njeriu në botë që punon natë e ditë (që të shohë pakëz dritë). Ky ishte edhe rasti im. Unë punova natë e ditë për 11 vjet nën regjimin komunist për të shpëtuar, duke marrë një bursë studimesh si rast i jashtëzakonshëm. Po flasim për moshën nga 3 vjec deri 14 vjeç, duke hyrë si rast i jashtëzakonshëm në Istitutin e Lartë të Arteve në moshën 11 vjeçare. E mbarova në moshën 14 vjecar dhe më pas studimet i vazhdova në Romë, pastaj në Salzburg, Austri, pastaj në Nju Jork. Në këto vite erdhën edhe vlerësimet nga kritika botërore, por nuk ia dilja dot të luaja në violinë vetëm pjesët e kompozitorëve të tjerë. Doja të luaja edhe muzikën time, kështu që fillova të ndryshoja këndvështrimin tim dhe pas gjithë kësaj rruge klasike fillova edhe rrugën tjetër atë të muzikës së lehtë dhe të kompozimeve të mia.

– Thonë se shoqërohesh pothuaj gjithmonë nga mamaja jote nëpër koncertet ku interpreton. Është kjo një lidhje e veçantë mes jush, ndjen nevojën e pranisë së saj, apo është meraku i nënës që kërkon të jetë pranë teje në çdo kohë?

Jo, jo kjo nuk është e vërtetë. Ka vite që nëna ime nuk më ndjek dot më nëpër koncerte dhe besoj se kjo ndodh për një arsye dhe një fakt fiziologjik, por deri sa isha minoren më ndiqte si pulla. Megjithatë kur koncertet janë në qytete shumë të bukura të Europës, ajo vjen dhe organizohet si turiste, por edhe një çikë si zysha që shkon të dëgjojë koncertin e nxënësit të saj të përjetshëm. Përveç kësaj i pëlqejnë kompozimet e mia në stilin klasik modern kështu që i pëlqente të dëgjonte të rejat që kisha në repertor. Gjithësesi lidhja është mëse e veçantë sepse mamaja ime është edhe personi që më mësoi muzikën edhe violinën, zysha e parë e jetës time.

– Kujtoj kohën kur emri yt diskutohej si gjeni. Kapërceje vitet e shkollës nga dy e nga tre dhe 14 vjeç ishe diplomuar. Si ndihet një fëmijë në atë moshë kur e trajtojnë kështu? A ndjen trysni, kënaqësi, frikë…?

Unë e kujtoj atë periudhë si periudhë ushtrie, si në zbor, por vetëm se ishte një zbor i pafundtë. Studim muzike pa fund. Filloja në orën 5 të mëngjesit dhe deri në orën 7 violinë. Pastaj vrap deri në shkollë në Durrës, te “Mujo Ulqinaku”, sot “Jan Kukuzeli”, deri në orën 12 ose 13 mësim normal, pastaj violinë deri në 4 pasdreke. Pastaj shtëpi dhe mësime gjithë ditën deri në orën 10 të darkës. Se si më kanë duruar ato komshinjtë e shkretë nuk e di… Pastaj si rast i veçantë hyra në Istitutin e Lartë të Arteve në Tiranë. Isha shumë i vogël, por filloi faza e abonesë Durrës-Tiranë me trenin që donte një orë të tërë për të shkuar dhe pastaj për 4 vjet rrjesht shkova në ILA për të mbrojtur provimet. Ndërkaq vazhdoja në lice shkollën normale. Zbori pa fund vazhdonte, por kishin ndryshuar figurat. Në konservator ishin të gjithë 20-22 vjeçarë, por nuk mbaj mend episode trysnie. Kënaqësia ishte tek duartrokitjet e popullit të thjeshtë që më në fund kishte nje moment argëtimi në atë periudhe të errët.

– Po sot, si është jeta e një “gjeniu”?

Unë nuk e konsideroj veten si një gjeni. Unë e konsideroj veten të lirë, të lirë nga çdo limit muzikor, nga çdo paragjykim. Njerëzit dhe publiku janë ato që gjejnë pastaj mbiemrat, gjeni, hyjnor, ose ai që më pëlqen më shumë është viOlen.

– Në vitin 1989 ju fituat një bursë studimi në Itali. Rast i rrallë ky për një shqiptar në atë kohë. Çfarë ndodhi më tej?

Rast i rrallë? Nuk kishin më rrugë tjetër. Në atë kohë ishin nisur edhe instrumentistë të tjerë para meje në moshë më të madhe për studime jashtë shtetit, kurse i imi ishte një rast i pashmangshëm sepse fitova në 1989 çmimin “instrumentisti më i mirë i vitit” dhe mu dha kjo bursë studimi për në Itali. Deri sa isha në Shqipëri mu duk si kushedi çfarë, por kur erdha në Itali ishte 400,000 liretta që do të thotë 350.000 për qiranë e shtëpisë dhe 50,000 për bukë. Një mizerje e vërtëtë, por më mirë se hiç fare.

– Pra një fillim i vështirë?

Në muajt e parë punova nëpër sheshet e Romës, nga qershori deri në nëntor. Pastaj situata u rregullua sepse pasi fillova konservatorin në Romë, puna u hap me koncerte. Gjithësesi ishte shumë e vështirë sepse ne ishim si mburoja që priste gjitha dallgët e emigracionit në ato periudha dhe në fillim kur u hapën kufijtë çfarë nuk ndodhi në Itali.

– Kritika italiane të përkufizoi si “Paganini i ri” dhe di që baza jote vazhdon të mbetet Italia. Pse nuk provove të shkoje diku tjetër?

Shkova që çke me të. Shkova në Austri dhe studiova atje në Mozarteum, pastaj shkova në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, punova dhe jetova atje për gati 2 vjet, por kultura dhe arti që ka Italia nuk e gjen në asnjë vend të botës. Plus kësaj mua Italia më dha çdo gjë që muzika mund t’i japë një artisti. Jam krejt i dashuruar me Romën!

– A ke menduar ndonjëherë se çdo të ndodhte me ty nëse nuk do të kishte dalë ajo bursë në 89-ën, nëse nuk do të qëndroje në Itali, nëse Shqipëria do të vazhdonte të ishte ende një vend i mbyllur?

Jo këtë mundësi nuk e kam konsideruar kurrë. Mendoj se një gjë nuk do ndryshonte: puna, zanati dhe gjithë ajo djersë e investuar në muzikë.

– Po në jetën tënde personale a ndihesh njësoj fatlum sa në atë profesionale? Dua të them, a është diku një shpirt binjak që të pret të kthehesh nga koncertet? Dikush me të cilën ndan jetën, ato gjërat e vogla (por të rëndësishme të jetës)? A je me dikë?

Këto janë çështje shumë private që nuk kam dëshirë t’i tregoj. Mund të them se për momentin jam i lumtur.

– Përtej violinës, famës, koncerteve, cila është përditshmëria jote?

Miqtë e mi. Më pëlqen t’i mbaj kontaktet dhe Facebook-u më ndihmon shumë. Udhëtimet me avion e me makinë nëpër vendet që duhet të shkoj për koncerte janë të shpeshta. Kaloj shumë kohë edhe në kompjuter. Pra jetë pak a shumë, normale.

– Po në Shqipëri kur do të kthehesh?

Nga fillimi i korrikut po mendoj të kthehem. Më pëlqen ideja të shkoj në jug të Shqipërisë me grupin tim për koncerte nëpër plazhet më të bukura.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s