Evis Mula

Posted: May 24, 2013 in PERSONAZH

Ta nisësh nga la Scala  http://www.youtube.com/watch?v=sbqBxj4y0rk

Nga Alida Cenaj

E ka parim të mos refuzojë asnjë shans që i del përpara. Qoftë ky edhe i një lloji të ndryshëm nga muzika operistike, skenat e mëdha apo bashkëpunime që kanë lidhje vetëm karrierën. Meqë, si gjithçka tjetër, edhe teatri klasik po shkon drejt modernizimit dhe më shumë se asgjë tjetër kërkon personazhe realë, nga ata që e kanë jetuar jetën në të gjitha format, Evis Mula ka vendosur të përshtatet. Megjithatë ofertën e Zana Çelës për të prezantuar festivalin e fëmijëve “Performfest” pati kohë ta mendonte përpara se të përgjigjej me “po”. Vërtet çdo eksperiencë vlen, sepse mëson diçka të re, por shfaqja në Tiranë si prezantuese ishte diçka ndryshe. Një vendim i guximshëm për të, por edhe për një publik që është mësuar ta dëgjojë vetëm në skenat operistike, e fundit, jo me larg se dhjetorin e shkuar, në një recital në Tiranë. Por periudha, nga festat e fundvitit kur producentja i propozoi e deri në mars, ishte kohë e mjaftueshme për t’i dhënë fund të gjitha dyzimeve. Me një rrugë bënte dy punë: përfitonte nga rasti të çmallej me familjen dhe angazhohej me diçka të re në një sezon, i lirë në axhendën e saj. Pastaj ky ishte një projekt televiziv dhe ekrani, megjithëse tanimë fati duket të jetë i destinuar vetëm për muzikën klasike, mbetet gjithmonë një nga ato ëndrrat e vjetra që e përmbushin sa herë i ofrohet si mundësi. Kjo ishte një punë me fëmijë të talentuar dhe kështu e ka nisur, një herë e një kohë, edhe Evisi. Të gjendej mes tyre, të përshtatej duke u kthyer pas në kohën e fëmijërisë, thjesht i pëlqeu. Ndaj përfundimisht vendosi ta provonte dhe ditët e fundit të shkurtit mori avionin e për të paktën dy muaj e gjysmë do të jetë në Tiranë.

Ndërsa rregullon shallin e leshtë rreth qafës, mbledh flokët që të mos e bezdisin dhe sigurohet që muzika është ulur mjaftueshëm që të mos i duhet të flasë me zë të lartë (kujdesi për kordat e zërit është i zakonshëm tashmë), Evisi kërkon falje për shtyrjen e orarit të takimit. I duhej të shkonte te stilistja për t’i hedhur një sy të fundit fustanit që do të veshë të shtunën mbrëma. Është mbrëmja e dytë e festivalit dhe asgjë nuk duhet të vendoset në minutat e fundit. Pjesë e rutinës së punës është edhe përzgjedhja e veshjes. Sa më shpejt aq më mirë, sepse kështu i jep kohë vetes të punojë me skenarin, të mësojë çdo detaj të shfaqjes dhe të mendojë për prezantimin: pjesë e tij janë edhe ndërhyrjet spontante, komente, marrëdhëniet me fëmijët, ndonjë e papritur në skenë. Por që gjithçka të shkojë mirë i duhet të dijë paraprakisht çdo gjë që organizatorët kanë menduar për të shtunën. Kanë kaluar vetëm tre ditë nga nata e parë e festivalit dhe sado që miq e të afërm e kanë përgëzuar, Evisit vetë vështirë t’i mbushet mendja se ka dhënë maksimumin. Të ishte kohë tjetër madje as do ia kishte hedhur sytë ritransmetimit për të zbuluar ndonjë defekt. Por këto tre vitet e fundit të kaluara në Milano, bashkëpunimet me të huajt dhe interpretimet në skena të ndryshme të botës ia kanë ndryshuar zakonet. “Milano më ka detyruar ta dëgjoj veten”. Ndaj është ulur dhe e ka parë ritransmetimin, por megjithatë nuk pranon të bëjë më shumë komente sesa vetëm “unë jam hiperkritike për veten”. Do ketë gjetur ndonjë kleçkë (të vërtetë ose jo) që me siguri do ta riparojë në javët në vijim. Sidoqoftë rezultati është i mirë: kjo eksperiencë i ka ngjitur dhe nuk është penduar që e ka pranuar. Është në një vend që e do – në ekran – dhe e rrethon muzika e këngëtarët, ndërsa ajo prezanton.

“Në fund të fundit edhe kjo është një eksperiencë. Është një Evis që e ka filluar karrierën në festivalet e fëmijëve. Ndjej nostalgji, por edhe e vlerësoj shumë këtë aktivitet sepse krijon një marrëdhënie ndryshe me publikun, me fëmijët dhe me skenarin. Mos harro se të punosh me fëmijët nuk është edhe kaq e thjeshtë, nuk bëhet fjalë për një spektakël për të rritur. Ata nuk duan t’i trajtosh si fëmijë dhe përballë tyre të duhet të jesh e vërtetë”. Formula e këtij viti ështe se të gjitha këngët e talenteve të vegjël, janë të reja, të shkruara enkas për ta. Përveç kësaj çdo javë ka një të ftuar, këngëtar i njohur i skenës, që përveç hiteve të fundit interpreton bashkë me fëmijët dy këngë nga festivalet e dekadave më parë. “Kështu atyre u stimulohet fantazia, ka shkëmbim eksperiencash dhe kjo ndikon shumë tek konkurentët e vegjël. Ata nuk këndojnë këngë të këngëtarëve të njohur e si rrjedhojë të mundohen t’i imitojnë ata. Gjithçka është origjinale, ata janë vetja në skenë”.

E tillë mundohet të jetë edhe Evisi në këtë rikthim në të shkuarën. Natën e parë të festivalit është sjellë si të ishte edhe ajo një prej konkurenteve, çka duket se ka funksionuar, megjithëse është prezantuesja. “Erdhi rastësisht ky impenjim”, shton ajo. “Me Zanën kemi mbajtur kontakte, më shumë miqësore. Jemi lidhur që nga koha e Festivalit “Marie Kraja” në vitin 2010. Pas çmimit të parë që fitova në edicionin e këtij viti, Zana më ka ftuar edhe në edicionet pasardhëse dhe për festat e fundvitit më ofroi prezantuesen e “Performfest”. Të them të drejtën, u mendova mirë para se ta pranoja. Në fillim duhet të shikoja axhendën dhe së dyti, unë si moderatore më dukej pak e çuditshme”. Por e pranoi dhe tani këtë punë po e sheh edhe si pushim të gjatë pranë familjes, por edhe si eksperiencë që me siguri do t’i shërbejë për më vonë. “Është një punë që e ndihmon teatrin. Opera po shkon drejt modernizimit, regjitë janë minimaliste, i vijnë për shtat jetës moderne dhe për të qenë personazh sa më i besueshëm duhet që së pari ti vetë t’i besosh asaj që bën. Duhet të jesh një njeri që e ka jetuar jetën. Është luks të thuash jam një këngëtar lirik dhe kaq”.

Ky është një nga mësimet që ka marrë këto tre vitet e fundit që Evisi ka jetuar larg Shqipërisë. Konkurimi në festivalin operistik “Marie Kraja” për sopranon nuk u mbyll vetëm me trofeun e çmimit të madh. Luka Targeti, ish drejtor artistik i La Scala-s, ishte i pari që dha votën maksimale për shqiptaren. Kishte brumë për të bërë shumë më tepër nga sa teatri i Tiranës mund t’i ofronte, ndaj përveç trofeut, Evisi fitoi edhe të drejtën e dy viteve shkollë në teatrin e famshëm. Më saktë një bursë perfeksionimi që nënkuptonte, përveç mësimit edhe mundësinë për të interpretuar në Milano dhe jo vetëm. “Targeti ka qenë një shtyllë e rëndësishme për mua këto tre vjet”, thotë ajo. “Një pikë referimi dhe konsulte”. Por që megjithatë nuk nënkuptonte se dyert do t’i gjente të hapura me të mbërritur në Milano. Vërtetë kishte të garantuar bursën dhe shkollën, por për të mbërritur deri tek rolet gjithçka varej nga vetë ajo. Duhej të fitonte besimin, të përballonte konkurencën dhe për çdo shans të jepte më të mirën nga vetja. “Dy vitet e studimeve janë punë laboratori, gama e personazheve është e reduktuar dhe varet shumë nga mosha”, shton sopranoja 25 vjeçare. Çka do të thotë se rolet që ka fituar gjatë viteve të shkollës, vërtet kanë qenë punë të mirëfillta, interpretime krah emrash të mëdhenj operistikë, por puna e vërtetë ka filluar pas përfundimit të tyre. Pastaj vjen kjo çështja e moshës. Është e ditur që një soprano nuk mund të rrezikojë me role që nuk mund t’i përballojë, pikërisht prej moshës. Një Violetë kërkon një zë të përpunuar dhe të pjekur dhe nëse e provon para kohe, rrezikon. “Jashtë tregohet shumë kujdes me repertorin dhe unë aktualisht po punoj me role të vogla. Jam e mendimit se më mirë ta fillosh me teatro të vegjël dhe me role të vogla sesa të rrezikosh dhe të humbasësh. Kjo deri kur të vijë momenti i duhur”. Thënë ndryshe, në këtë stad ku ndodhet Evisi ndihet gati për rolin e Mimisë fjala vjen, por ende jo për një Violetë. Deri tani personazhi më me peshë që ka interpretuar ka qenë Ernestina në operan komike rosiniane “L’occasione da il ladro”. Shfaqja është vënë në La Scala dhe ka udhëtuar në shumë teatro të tjera në Itali. Ndërsa pak më vonë, menjëherë pas “Performfest-it” do të jetë radha e “Rigoleto”-s. Trupa do të udhëtojë për ta realizuar këtë opera në Tokio, Japoni, me një kastë të zgjedhur – nga ata që për një soprano është nder të bashkëpunosh dhe një pikë e fortë në cv – me dirigjent Gustavo Dudovel dhe regjisor Deflo.

“Aktualisht unë punoj vetëm”, thotë Evis Mula duke iu referuar ndonjë bashkëpunëtori apo agjencie me emër. “Jam në fazë audicionesh. Ky është një profesion që për të bërë përpara, për të arritur në ato skenat e mëdha që njohin të gjithë, të duhet patjetër një dorë që të zgjatet, e gatshme të të ndihmojë. Duhet një rast i artë. Unë po përpiqem për këtë shans”. Ndërsa shpjegon procesin, nga fillimi deri tek marrja e një roli, Evisi tregon se angazhimi i përhershëm i saj janë audicionet. Herë pas here vjen në Tiranë edhe për t’u ushtruar me pianisten e saj dhe ndër rastet e mira futet edhe regjistrimi në një agjenci të madhe, e cila siguron audicione të reja për shfaqje me peshë kudo në botë. Por deri tani ajo vetë nuk ka një të tillë, pavarësisht se përgjatë këtyre viteve rolet nuk i kanë munguar. Pas përfundimit të studimeve, muzika lirike dhe skenat janë profesioni dhe puna e saj e përditshme të me cilat jeton, siguron qeranë e shtëpisë, udhëtimet dhe çdo nevojë tjetër të përditshme. Tanimë gjithçka e përballon vetë financiarisht. “Kjo është sfida”, thotë ajo. “Është shumë e vështirë sepse duhet të mendosh vetë për gjithçka”. Megjithatë nuk ka zgjedhur të nxitohet, për më tepër që në historikun e artistëve që ka nxjerrë Shqipëria, aktualisht me famë botërore, ka plot shembuj të cilëve mund t’u referohet. E para është kushërira e saj, Inva Mula, është Josif Gjipali, Ermonela Jaho, Saimir Pirgu, artistë me të cilët fati e ka përballur dhe tek ta ka gjetur bashkëqytetarë të gatshëm për ta ndihmuar me çdo gjë që kanë mundësi. “Kam shumë kontakte me të gjithë. Unë nuk e di se sa rivalë kanë qenë ata mes tyre, por për mua janë mbështetje. Josifin e kam pasur pedagog në akademi dhe ende dhe sot kam marrëdhënie shumë të mira. Me Saimirin jemi takuar rastësisht në Milano dhe kam gjetur tek ai një ndjenjë të jashtëzakonshme nacionaliste. Ai ka ndihmuar edhe shqiptarë të tjerë dhe ka shprehur gatishmërinë për ndihmën e tij çdo herë që të kem nevojë. Pastaj është Inva, unë mbaj të njëjtin mbiemër me të. Kjo më ndihmon shumë sepse Invën e njohin kudo. Kjo të jep hov. Ndihma e saj është shkëmbimi i teknikave të të kënduarit. E kam ndjekur në çdo shfaqje që ka dhënë në Itali dhe kam mësuar prej saj”. Pastaj Evisi vërtet e ka nisur nga zeroja dhe kjo paralajmëron një rrugë të vështirë drejt suksesit, por “zeroja” e saj ka qenë në La Scala, një teatër i lakmuar për shumë të ngjashëm të saj, moshatarë ose më të rritur. “Kjo bën diferencën”, shton ajo. Gjë që gjithësesi nuk nënkupton se rrugën e ka të shtruar. Në këtë fazë ku ndodhet afirmimi në skenat e mëdha është i domosdoshëm përderisa, siç thotë, kanto është profesioni i saj, ai me të cilin do të jetojë deri në fund të karrierës. “Kohët e fundit kam qenë pak e ngarkuar psikologjikisht sepse kjo mënyrë jetese është frenetike. Duhet të japësh pa fund, aq sa humbet koncepti i njeriut dhe jetës normale, të zakonshme për një 25 vjeçare. Por edhe kjo është një fazë që do t’i lërë vendin një tjetre. Qëllimi im nuk është fama sesa procesi i prekjes së teatrove të mëdhenj”, thotë sopranoja. “Unë dua të jem një soprano e mirë, por në një kohë të caktuar të kem edhe familjen time. Pra nuk planifikoj që gjithçka ta vë në funksion të karrierës.” Kjo e fundit do të marrë aq sa i takon. Me hapa të vegjël dhe të sigurtë. Deri kur zëri të jetë gati për role të mëdhenj dhe kur ai rasti i artë të ketë trokitur edhe në derën e saj.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s